Secondary Adv

Mbi 20 mln lekë investime në bregdetin e jugut, hapen dy tendera për ujësjellësin dhe kanalizimet

Palasa, Drimadha dhe Dhërmiu do të përfitojnë projekte të reja për ujësjellësin dhe kanalizimet, në mbështetje të zhvillimit turistik të Rivierës Jugore.

Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Vlorë Sh.A ka shpallur hapjen e procedurës për studim-projektimin dhe furnizimin me ujë të zonave bregdetare Draleos, Drimadhë dhe Dhërmi, në kuadër të Fazës IV të projektit. Sipas dokumenteve të publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik, fondi limit për këtë investim arrin në 20.8 milionë lekë.

 

Projekti parashikon zgjerimin e linjës së transmetimit të ujit, si vazhdim i fazave të mëparshme, si dhe ndërtimin e rrjeteve të reja të shpërndarjes për zonat përfituese. Faza e katërt synon të mbulojë zona me rëndësi strategjike për turizmin, ku vitet e fundit është regjistruar rritje e ndjeshme e investimeve dhe e fluksit të vizitorëve.

 

Fokus te furnizimi i qëndrueshëm me ujë

Qëllimi kryesor i investimit është garantimi i një furnizimi të qëndrueshëm, të sigurt dhe të mjaftueshëm me ujë të pijshëm për banorët dhe bizneset në Draleos, Drimadhë dhe Dhërmi. Projekti synon modernizimin e infrastrukturës ekzistuese dhe përshtatjen e saj me kërkesat në rritje, veçanërisht gjatë sezonit turistik.

 

Në kuadër të tij do të realizohet vlerësimi i rrjetit aktual të shpërndarjes dhe i depove ekzistuese të ujit, ndërsa do të projektohen depo të reja dhe rrjete shtesë për të përballuar kërkesën në periudhat me ngarkesë më të lartë.

 

Një nga elementët kryesorë të projektit është vazhdimi i linjës së transmetimit nga dalja e tunelit të Palasës deri në Dhërmi, duke krijuar bazën për furnizim më efikas të të gjithë zonës.

 

Investim i ri për kanalizimet dhe trajtimin e ujërave të ndotura

Paralelisht, Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Vlorë ka hapur edhe një procedurë tjetër për studim-projektimin e sistemit të mbledhjes së ujërave të ndotura në zonën e Drimadhës dhe ndërtimin e impiantit të trajtimit të tyre. Fondi limit për këtë projekt është 19.5 milionë lekë.

 

Investimi synon krijimin e një sistemi të integruar kanalizimesh për zonat turistike të Palasës dhe Drimadhës, të cilat kanë përjetuar zgjerim të shpejtë të ndërtimeve rezidenciale, hoteleve dhe resorteve turistike gjatë viteve të fundit.

 

Aktualisht, zona disponon vetëm rrjete të pjesshme kanalizimesh, të cilat nuk lidhen me një sistem të përbashkët trajtimi. Projekti i ri parashikon ndërtimin e një rrjeti të unifikuar, verifikimin e kapaciteteve ekzistuese të stacioneve të pompimit dhe projektimin e një impianti modern për trajtimin e ujërave të ndotura.

 

Mbështetje për zhvillimin e qëndrueshëm turistik

Sipas dokumentacionit teknik, mungesa e rrjeteve të plota të shpërndarjes së ujit, zgjerimi i shpejtë urbanistik dhe mungesa e rezervuarëve të mjaftueshëm i kanë bërë këto zona veçanërisht të ndjeshme ndaj mungesave të ujit dhe problemeve mjedisore gjatë sezonit veror.

 

Për këtë arsye, ndërtimi i rrjeteve të reja shpërndarëse, depove të ujit dhe infrastrukturës së kanalizimeve konsiderohet një pjesë thelbësore e planit për zhvillimin e qëndrueshëm të Rivierës Jugore, duke synuar përmirësimin e shërbimeve publike dhe mbrojtjen e mjedisit në një nga zonat më të rëndësishme turistike të vendit.

Burimi: Scantv


Më të lexuarat